AGIM GJAKOVA PËRBALLJE ME DY DIKTATURA
Nga VERA PELAJ
Agim
Gjakova u lind më 1935. Bir i dy mësuesve gjakovarë, i Demushit, oficer
demokrat në ushtrinë e Fan Nolit si kryeministër, drejtor didaktik arsimor i
tri nënprefekturave, Gjakovës, Malësisë dhe Podrimjes, kryetar i Këshillit
Nacional Çlirimtar, i burgosur nga Italia fashiste, i torturuar dhe pas
demonstratës që u bë në Gjakovë për lirimin e tij, gjatë së cilës u vra Shani
Nushi, u plagosën të tjerë, u rrahën e gjakosën njerëzit, u lirua nga burgu që
të vdiste në shtëpi në vitin 1943. E ëma Emine Gjakova – Shehdula e rriti në
frymën atdhetare, kur spikati edhe axha i tij Haki Taha që vrau Milladin Popoviqin
. Agim Gjakova me autoren e shkrimit Vera Pelaj
Agim Gjakova mbaroi shkollën Normale në Gjakovë dhe shkoi student në Beograd në fakultetin filozofik. Fryma atdhetare nuk e la të qetë edhe atje dhe bashkë me shokët formoi shoqatën e studentëve shqiptarë në Beograd, “Përpjekja”, në gojën e ujkut, në kohën kur sundonte Rankoviqi dhe torturoheshin e vriteshin shqiptarët e Kosovës në reprezaljen e ashtuquajtur aksioni për mbledhjen e armëve. U burgos tri herë. Me gjithë torturat ku ia thyen edhe dhëmbët, nuk pranoi asgjë. I thanë “Ti je i ndërgjegjshëm politikisht dhe me ty nuk bën fajde dajaku. Duhet të ta shkatërrojmë sistemin nervor që të dorëzohesh. Kishte metoda edhe për këtë. Por Agim Gjakova nuk firmosi asnjë shkresë. Pasi ia hoqën shtetësinë me arsyetimin se kishte lindur jashtë Jugosllavisë, herën e tretë e arrestuan dhe e dërguan në kampin e përqendrimit dhe i thanë se “Nuk del më kurrë i lirë në tokën e Jugosllavisë”. Morën përgjigjen se “nuk më ka marrë malli për tokën e Jugosllavisë, por për Kosovën time.” Dhe me 27 maj të vitit 1960 vetë zyrtarët e UDB-së e nxorën fishek në kufirin shqiptar si person të padëshirueshëm për Jugosllavinë.
Po si e priti atdheu si të riatdhesuar? Duke dashur t’i bëjnë luftë nervash e lanë për tre muaj e gjysmë pa punë dhe pa pagë. Familjes (nëna dhe një teze që u dëbuan bashkë me të) i dhanë një ndihmë tre mijë lekë për gjithë atë kohë, që ishte sa gjysma e rrogës mesatare mujore në Shqipëri në atë kohë. Qëlloi që në tre katër ditë në javë të hante bukë me dhallë në gjendje shëndetësore të pasburgut. Por stoicizmi i Agim Gjakovës, në përballje me buzëqeshje dhe humor, aq karakteristike për të gjatë gjithë jetës edhe sot e kësaj dite, e përballoi edhe atë sfidë. Kërkoi të vazhdonte studimet. Më në fund pas dy vjetësh i dhanë mundësinë të vazhdonte studimet për gjuhën angleze dhe shqipe në Tiranë. Kam në kompjuter dosjen e Sigurimit të Shtetit për Agim Gjakovën. Dhe çfarë dosje se! Për pothuajse mbi njëzet e sa vjet u mbikëqyr, u vëzhgua, u përgjua, u hetua në Shkodër, Kukës, Berat, Lushnjë e Fier, Mirditë, Durrës, Kavajë etj. për ndonjë lidhje të këtij agjenti të rrezikshëm. Një dosje prej 1128 (njëmijenjëqindenjëzetetetë) faqe. Në dosje figurojnë dy ministra të brendshëm, dy zëvendësministra dhe drejtorë të Sigurimit, njëqind e katër emra: drejtorë drejtorish, oficerë dhe operativë të Sigurimit të Shtetit, të cilët janë marrë drejtpërdrejtë apo tërthorazi me Agim Gjakovën, si armik i rrezikshëm kundër partisë e pushtetit, si agjent i mundshëm i UDB-së.
E çka s’ka në këtë dosje! Në një anë Agim Gjakova e në anën tjetër një ushtri e tërë. Sfida e buzëqeshjes, nëse për miq e shokë tejet e përzemërt, për këtë ushtri edhe sfiduese dhe ironike. E pyetëm Agim Gjakovën se si kanë qenë mbikëqyrja, vëzhgimi, përgjimi. “Ishin të egra, banale, vulgare, me presion psikologjik.” Dhe siç thonë u mbush kupa. Në vitet shtatëdhjetë i shkroi letër ministrit të brendshëm ku trajtoi çështje kombëtare, të marrëdhënieve me Kosovën dhe me vëllezërit kosovarë. Kur e lexon atë letër njeriu i bën pyetje vetes: Çfarë guximi vetëvrasës është ky? Po lexoj pak nga shënimi i ministrit të brendshëm, Kadri Hazbiu, që ia dërgon drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Rexhep Kolli: “E studjova me vëmendje letrën që më dërgon sh. Agim Gjakova. Mendoj se shqetësimi i tij... është legjitim. Por më duket se ky ka një sërë pakjartësish... Po ashtu tregohet i ngutur e jo me respekt ndaj shokëve që e kanë këshilluar e skjaruar – siç thotë ai vetë. Me sa duket nuk kupton mirë se këto çështje i trajton – si gjithnjë partia dhe organet përkatëse të pushtetit në një gamë të gjerë...” Po çfarë shkruan, ndër të tjera, në atë letër, Agim Gjakova:
“...Se politika e Shqipërisë nuk ka qenë në mbrojtje të Kosovës në vitet 1944. Vetëm tani kur ndryshuan rrethanat filloi Shqipëria të interesohet për Kosovën ... Shoku Enver nuk është interesuar aq sa duhet për popullin e Kosovës deri tani ... Në rast të krijimit të situatës së përleshjeve në Jugosllavi nuk besojmë se Shqipëria do të na vijë në ndihmë... Sikur mungon vullneti, kjo u pa më katërdhjetekatrën... Si mund të pretendohet të krijohet afiniteti, afërsia shpirtërore me kosovarë, kur nuk është krijuar me ne që ndodhemi këtu?!.. Se kosovarët në Shqipëri nuk trajtohen mirë...” e tjerë e tjerë... Agim Gjakova nuk kupton kur shtron pyetjen se ç’duhet bërë për Kosovën. Kjo i vë në siklet se si t’i përgjigjen. Dhe në bisedë me drejtorin e Sigurimit të Shtetit nuk merr asnjë përgjigje, por rrotullime fjalësh. Dhe Agim Gjakova, megjithëse e dinte, me buzëqeshjen e tij kupton se Enver Hoxha u ka dhënë urdhër që vetëm të bëhet ndonjë farë propagande për Kosovën dhe asgjë më shumë. Agim Gjakova nuk kupton kur ua përplasë në fytyrë qëndrimet partiake e shtetërore se “Kosova nuk është pjesë e atdheut, kosovarët janë të gjithë nacionalistë borgjezë” etj. Dhe i mëshon pohimit: “E them haptazi se ka pasur individë që kanë thartuar fytyrat kur më kanë parë me shokët kosovarë.” E thërrasin dhe ministri i thotë se “je shprehur pa respekt për oficerët e sigurimit”, dhe ky u përgjigjet “ jo për të gjithë, jua jap emrat”. Ku e ka marrë gjithë këtë guxim që të provokojë deri në sferat më të larta të diktaturës! E pyesim: Si ke guxuar ta provokosh një shtet diktatorial me aq e aq krime? “Platforma e mbrojtjes sime ka qenë ”qëndroj dhe nisem nga pozicioni që Shqipëria të zhvillohet, të ecë përpara, duke theksuar si vërejtjet e mangësitë, si shtrembërimet e tendencat negative, si edhe provokimet, për të cilat kisha përgatitur edhe kundërpërgjigje në rast se do të më akuzonin, të paktën mos të më zinin në fjalë, pasi dihej se e kishin dorën e gjatë shtatë pash për të bërë ç’iu tekej e ç’të donin”.
O tempora, mores! Çfarë kohe, çfarë zakone! Siç thonë në Shqipëri e gjithë kjo lukuni po bënin një vërë në ujë. E kishin nga ethet për karrierë, për përfitime partiake dhe nga urrejtja, që, siç janë shprehur për të në ministrinë e brendshme, “po na duket toka rëndë kah po shkel ai në Tiranë!”. Sfida ironike bëhet edhe më e mprehtë e Agim Gjakovës. Më lejoni të tregoj vetëm një rast: Në hotel “Dajti” në Tiranë, që ishte vetëm për të huajt, ku nuk guxonin kurrsesi të hynin vendësit, Agim Gjakova nuk ka pyetur për Sigurimin. Ka takuar vëllezërit e tij. Një rast tek po priste pranë sportelit që të zbriste në holl nga dhoma një shok i tij i ardhur nga Kosova, i afrohet një operativ i Sigurimit dhe zhvillohet kjo bisedë:
- Kosovar je ti?
- Po.
- Ke ardhur nga Çerma? (Vend ku ndodhej kampi i kosovarëve)
- Po. (Agim Gjakova nuk ka qenë atje).
- Sa ke në Çermë?
- Gjashtë muaj.
- E paske mësuar mirë gjuhën shqipe.
- Po. Unë jam gjeni dhe e mësoj një gjuhë të huaj shumë mirë për gjashtë muaj.
Pas raportimit të këtij e thërrasin dhe i thonë: “Pse tallesh me oficerët e Sigurimit?” “Nuk tallem unë, por ata me vetveten.” Hiç më mirë edhe me ministrin e dytë, Hekuran Isai, dhe drejtorin e dytë të Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, një kriminel sadist. Dhe Agim Gjakova. jo vetëm që i provokon këta, por edhe deri në sferën më të lartë në Byronë Politike të Partisë me letër drejtuar Ramiz Alisë. Në dosje shënohet: “Kuptohet se qëllimi i tij ishte për të matur pulsin...” Renditen dyzetetetë të ashtuquajturat plane masash, ku hartohet programi se si ta zbulojnë këtë armik të rrezikshëm. Mikrofoni i vendosur në dhomën e tij të gjumit nuk jep “të dhëna operative”, siç i cilësojnë ata. Mikrofoni i përgjimit i vendosur në kuzhinë disa herë është prishur e zëvendësuar, por regjistrimet nuk janë të sakta. Radhiten pseudonimet e dyzetekatër spiunëve, të ashtuquajtur bashkëpunëtorë. Disa prej tyre Agim Gjakova i njihte dhe nëpërmjet tyre bënte edhe lojë me Sigurimit, se ata kishin frikë nga ndonjë farë organizimi jashtë partisë dhe jashtë strukturave shtetërore, por në disa raste shënimi është se Agim Gjakova e ka kuptuar spiunin. Por hiç më lehtë nuk e ka pasur edhe në botën letrare: me refuzime për botim, me akuza deri në të përbindshmet që mund ta çonin në pushkatim ose burgim dhjetëvjeçar. Dhe përsëri buzëqeshja sfiduese, hera herë ironike. Në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1967 Agim Gjakova diskutoi për trajtimin në letërsi subjekte nga jeta e shqiptarëve të Kosovës. Iu ndërpre fjala, sepse Agim Gjakova shtroi para të pranishmëve tezën se “atdheu është më i madh se shteti”. U prit me kënaqësi e miratim të heshtur në sallë se - kush guxonte ndryshe - por u sulmua nga elita partiake se “shfaqte dyshime” ndaj politikës së partisë dhe se kufijtë e shtetit, pra edhe të atdheut, i paskësh përcaktuar saktë Stalini.
Në këtë vazhdë për veprën “Në kërkim të së vërtetës”, u tha, ndër të tjera,“Ti do ta gjesh të vërtetën? Të vërtetën e ka gjetur Partia”. etj. Njëri prej kolegëve e krahasoi veprën e tij me mullarë të kashtës që i merr era dhe Agimi iu përgjigj: “Ata nuk janë mullarë kashte të Myzeqesë, por të Kosovës.” Dhe vazhdon goditja edhe për përmbledhjen me poezi “Rrënjët përtërihen” së cilës iu ndalua botimi, me porosi të Plenumit të Komitetit të Partisë së Punës të Shqipërisë. U akuzua se është kundër ideologjisë së Partisë, kundër politikës së Partisë, ndërtimit të socializmit, si edhe për hermetizëm e luftënxitës, se paska dashur që Shqipërinë ta shtinte në sherr me Jugosllavinë. Agim Gjakova u përgjigj: Çudi se si qenkam kaq i fortë që të shti në sherr dy shtete! E ç’të ju them, e ç’të ju them! Të përballësh me një ushtri të tërë... Ç’i thuhet kësaj!? Agim Gjakova shkruan libra, por nuk shet libra. Thotë: “Shqiptarët nuk kanë pare me ble libra. Ata që kanë pare nuk blejnë.” I boton me shpenzimet e tij dhe i falë. Nuk merr pjesë në konkurse, nuk paraqitet për çmime e nuk çon vepra për vlerësim në ministritë e kulturës këtej e andej, sepse siç është shprehur vetë, dhe publikuar në shtyp, ka shkruar “Ministria e kulturës ka gjithçka përveç kulturë”. Nuk ka marrë asnjë cent sponsorizim, nuk i kanë dhënë asnjë çmim, as vlerësim, nuk kanë thënë asnjë fjalë miradije. Heshtja apo bojkoti qeveritar ndaj tij vjen si pasojë e shkrimeve të tij publicistike ku nuk ka kursyer askënd, as politikën ndërkombëtare ndaj Kosovës, pa sharje, pa fyerje, pa insinuata, me argumente dhe të dhëna për paudhësitë dhe keqzbatimet politike, ekonomike e shoqërore. Por nuk kanë arritur kurrë që ta mënjanojnë nga njohjet e shoqëria.
Agim Gjakovës i pëlqen të pijë kafe të fortë, na ka ndaluar që në tavolinë të bëjmë biseda serioze, se thotë se i kanë ardhur në maje të hundës, pasi për tridhjetë vjet çdo muaj ka dëgjuar shtatë tetë mbledhje gjoja serioze, për të mos përmendur aksion e të tjera edhe ditën e diele. Është një hazerxhevap i madh, nuk di të shajë, nuk merr nëpër gojë askënd, bën humor mirëdashës me shokët e shoqet, tregon anekdota që i di me thes e të tjera. Nuk i dhimbsen paret që shpenzon me shoqërinë. Unë nuk mund t’ia shpërblej kurrë ndihmën që më ka dhënë, vetëm se kur shkoj në shtëpinë time, më porositë që t’i sjell bukë kallamoqe të gatuar mirë. Ky është shpërblimi që ia bëj. E them me mburrje që kam nderin dhe kënaqësinë që të jem në shoqëri me të.
No comments:
Post a Comment